U desh një vit i plotë që prezantuesja e emisioneve sportive, Eva Murati të pranojë në mënyrën e saj ndarjen nga i dashuri prej vitesh, Genar Topalli, djali i ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit.

Genari dha lajmin disa ditë më parë se është diplomuar në “Universita Cattolica del Sacro Cuore” në Milano.

Ishte vetë Jozefina ajo që postoi, përveç djalit, disa foto nga ceremonia e diplomimit, ku shfaqen duke festuar familjarisht, të lumtur për këtë arritje.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Genari shkruante se kjo ishte një ditë shumë e veçantë dhe e bukur për të, ndërkohë që në fotot e postuara as këtë herë nuk u pa Eva, e cila ka qenë prej vitesh shumë pranë familjes Topalli, aq sa quhet “nusja e Jozefinës”.

Nuk vonoi shumë dhe para disa ditësh Eva është “hakmarrë” me ish-in e saj, duke bërë një deklaratë publike në lidhje me ngacmimet apo flirtimet me futbollistët e njohur.

E ftuar së fundmi në emisionin ‘Trokit’ në ‘InTv’ pranoi jo vetëm që merr mesazhe nga futbollistët, por zbuloi edhe mesazhe të tilla si: “Ç’kemi ylli”, “zemra”, “shpirti”, por pa zbuluar më shumë në lidhje me emrat e futbollistëve që e ngacmojnë. Kujtojmë që lajmet për ndarjen nga djali i politikanes, gati një vit më parë, nuk u pritën mirë nga Eva.

Edhe pse nuk pranoi të jepte ndonjë sqarim të detajuar se pse ata të dy nuk shiheshin më bashkë si dikur që ishin të pandarë, katër muaj pas ndarjes, mediat vunë re një unazë fejese në gishtin e saj.

Ky detaj mori shumë vëmendje, nisur nga një deklaratë e dikurshme e Evës, e cila u shpreh në ekran kur e pyetën për lidhjen se: “Nuk jam nusja e Jozefina Topallit, ende s’kam një unazë në gisht”.

Nuk vonoi shumë dhe mohimi që u bëri lajmeve të zyrtarizimit të lidhjes 8–vjeçare me Genar Topallin, djalin e ish-kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, u pasua me lajmin e ndarjes. Katër muaj pas ndarjes ndjekësit vunë re një detaj të rëndësishëm, pikërisht një unazë rreth që mban ajo në gisht, fakt që ngjallte dyshimet se Eva mund të ishte fejuar në fshehtësi me ndonjë tjetër djalë.

Sa i takon lidhjes me moshatarin e saj, Genarin, fotot e fundit të tyre çift datojnë gjatë udhëtimeve të tyre në vitin 2017, ndërsa në profilet zyrtare të Evës nuk gjendet asnjë foto nga lidhja prej gati një dekadë. Prej dy vitesh ajo shfaqet vetëm në “Instagram” gjatë pushimeve, kryesisht në jug, ku dhe ka punuar për xhirimet e një filmi të ri të Luan Kryeziut me titull “Unë si ti”.

24- vjeçarja, e cila i ka hyrë botës së televizionit shumë e re, tashmë është përfshirë seriozisht në botën e kinemasë me disa role të fitura, siç ishte filmi serial “Ti mund të më quash Xhon”. Një nga moderatoret e momentit të ekranit shqiptar, përveç punës që bën, është komentuar këto vite edhe për lidhjen e saj me djalin e politikanes Jozefina Topalli.

E ftuar vitin e kaluar në programin “Pasdite në Top Channel”, ajo nuk mund t’i shpëtonte pyetjeve të tilla. “Unë kam vendosur të mos flas më për këtë gjë. Është diskutuar aq shumë kjo temë, por unë nuk jam pjesë e atyre vajzave që frymëzojnë portalet me historitë e tyre të dashurisë. Unë po përpiqem shumë në këtë që bëj dhe nuk dua të bëhem e njohur për jetën private, por për aftësitë e mia”, tha ajo. Ndërkohë, le të presim, nëse ndonjë ditë Eva do të rrëfejë se çfarë ka ndodhur këto kohë me jetën e saj sentimentale, që kur mediat njoftuan mbylljen e historisë së saj të gjatë të dashurisë me Genarin.