Futbolli në Shqipëri duket se është pushtuar nga dhuna. Këtë herë ajo është shfaqur në Kategorinë e Parë, në ndeshjen Besa-Bylisi, ku për shkak të sendeve të forta të hedhura ndaj gjyqtarëve takimi është ndërprerë. Kanë qenë tifozët vendas ata që në minutën e 75 nuk e kanë përtyur kartonin e kuq të mbrojtësit Danaj dhe përveçse kanë nisur të sharat në kor, kanë hedhur në drejtim të gjyqtarëve sende të forta si gurë, tulla dhe shishe uji.

I pari që e ka pësuar ishte gjyqtari virojtës Denis rexha, ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryesorit Klajdi Kola që mori vendimin për ndërprerjen e ndeshjes. Edhe dalja nga fsuah ka qenë një problem me vete, pasi në momentin që gjyqtarët janë afruar kanë vërshuar drejt tyre një lumë sendesh.

Për të bërë të mundur nxjerrjen e arbitrave nga fusha nuk mjaftoi as ndërhyrje e policisë, por u desh mbrojtja me trup e lojtarëve të Besës, të cilët rrezikuan shëndetin e tyre kundrejt shisheve dhe tullave që hidheshin papushim.

Problem për t’u larguar nga fusha patën edhe lojtarët e Bylisit të cilët priten disa minuta derisa situata u qetësua paksa. Në momentin që u ndërpre ndeshja rezultati i takimit ishte 0-1 për ekipin ballshiot, ndërsa më shumë mundësi sfida do të vendoset në tavolinë. Me gjasa do të ketë edhe penalizim të rëndë për ekipin e Besës nga Komisionet e federatës.