Progres-Raporti për vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë integrimin BE do të publikohet ashtu siç ishte planifikuar, më 29 maj në orën 11:00. Lajmi është konfirmuar në websajtin “European Western Balkans”.

Në këtë datë do të jepen vlerësimet e Komisionit Europian (KE) për punën që Shqipëria ka bërë në realizimin e 5 prioriteteve kyçe. Raporti për zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të prezantohet nga Komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn. Takimi, i cili do të mbahet vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të BE, është planifikuar për në orën 11:00.

Ndërkohë vetëm pak ditë më vonë, më 18 qershor Këshilli i Europës (KiE) do të vendosë nëse do të japë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Është përfolur se vendimi për Shqipërinë do të shtyhet, për shkak të krizës politike, por ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.