Libri i Bamir Topit ka shkaktuar mjaft debate në publik për shkak se aty akuzohen një numër jo i vogël politikanësh bashkëkohës të tij. Topi hedh një mori akuzash ndaj Berishës, por edhe Bujar Nishanit, gjë e cila bëri që ky i fundit të përgjigjej.

Ndërkohë, Berisha u pyet mbrëmë në “Opinion” në lidhje me ate çfarë Topi shkruan për të në libër dhe specifikisht për çfarë ndodhi në “21 Janar” ku ai u shpall puçist përmes një konference për shtyp, pak orë pasi kishte përfunduar demonstrata.

“Ishte puçist, por përgjegjësi do jepte para ligjit, jo para spontanitetit. Është tjetër çfarë them unë dhe tjetër çfarë thonë ligjet për sigurinë e jetës së tij. Janë gjera të ndryshme”, ka thënë Berisha.

Ai shtoi se: Çdo njeri që e lexon atë, konstaton se ai ka patur psikozën e fobisë. E frikës, pa diskutim në atë situatë që të gjitha institucion kanë patur përforcime të mbrojtjes. E ka shkruar me dorën e tij që ka psikozën e fobisë. Çfarë i them unë tjetër gjë, çfarë thonë lidhet për sigurinë e jetës së tij.

Ato që them unë nuk i heq asnjë fjalë unë, por ligjet thonë se kreu i shtetit duhet të sigurohet”.

Berisha nuk e ka mohuar në asnjë rast se e ka kërcënuar Bamir Topin, por as nuk ka pranuar të përgjigjet edhe pas insistimeve të shumta të gazetarëve në panel.

“Unë nuk i heq asnjë fjalë asaj. Uroj t’i këtë dal frika dhe kaq”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë, Topi kishte shkruar: Kryetari i shtetit ndihej i rrethuar, gati-gati si në arrest shtëpie. Thërrita shoferin tim, Kujtimin, një mikun tim dhe të familjes, njeri besnik, duke i thënë se si është situata rreth e qark shtëpisë. Shkova, u vesha sportiv dhe u futa në makinë i ulur mbrapa.

Makina po dilte nga rruga e shtëpisë sime duke shkaktuar lëvizje e dyshime te rojet e shumtë që raportonin direkt tek eprorët e tyre, të cilët duhej të ishin të ndaluar për përfshirje në ngjarjet e dy ditëve më parë. Përfytyrohet që siguria e jetës sime ishte tashmë në duart e miqve të kryeministrit. Shprehja filozofike “Miku i armikut tim është armiku im”, po zbatohej në këtë situatë. Kjo pamje ishte dëshmi se si shteti po jepte shenja të mosfunksionimit të tij. Disa ngjarje në ditët në vazhdim do të vërtetonin atë çka thashë më sipër.

Makina kaloi postbllokun kryesor dhe u fut në rrugicat plotësisht në errësirë dhe pas dy manovrimeve në zonën e Kinostudios u kthye për të marrë rrugën e Dajtit, duke u siguruar se askush nuk kishte mundur të na ndiqte. Po shkonim në një lokal mbi Linzë, ku do të takohesha me miqtë e mi të politikës, por edhe të familjes.

Kur arritëm në vendin e takimit sigurisht nuk kishte asnjeri, përveç pronarit të saj. Rruga e Dajtit ishte e shkretë, në errësirë dhe super e amortizuar.

Kujt mund t’i shkonte në imagjinatë që kreu i shtetit po udhëtonte në ato kushte në errësirë e në një natë të ftohtë dimri, me erë dhe pa hënë. Në ato kushte ndihesha më i sigurt vetëm sesa me njerëz që më konsideronin si armikun e shefit të tyre. Dramatike por e vërtetë.