Që kur Partizani u shpall Kampion i Shqipërisë në futboll, kureshtja për t`i njohur nga afër “demat e kuq” u rrit në mënyrë të jashtëzakonshme.

Të ftuar në ‘E Diell” në Top Channel, drejtori i këtij klubi Olsi Rama, trajneri Skënder Gega dhe e gjithë skuadra e futbollistëve sollën një pjesë të emocioneve, mëse të merituara, nga marrja e këtij titulli, pas 26 vitesh dhe pasionet e tyre jashtë fushe!

Pyetjes nëse i erdhi inat që vëllai i tij, Kryeminstri Edi Rama uroi publikisht zv/kryeministrin Erjon Braçen për fitoren e Partizanit dhe jo atë, Olsi u përgjigj: Përkundrazi kam ndjerë shumë kënaqësi sepse Erjoni në të vërtetë është bërë pjesë e kësaj skuadre, sepse ka një pasion të jashtëzakonshëm, për futbollin.

“Duke qenë se është dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij në punët e qeverisjes, Erjoni sërish gjen kohën që të vijë në stadium për të mbështetur këtë ekip, për mua është një gjë e madhe dhe e falenderoj nga zemra, për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë Partizanit, gjatë kësaj kohe dhe jam i gëzuar që ne ia shpërblyem në njëfarë mënyre. Unë e di sa i emocionuar ka qenë”, sqaroi me sportivitet Olsi Rama.

Fitorja e Partizanit do të përmbyllet sonte me një festë gjigante në Sheshin “Nënë Tereza” ku do të ketë të ftuar këngëtarë, humoristë dhe tifozët më të flaktë të kësaj skuadre.