Shumë futbollistë në vende të ndryshme të botës janë krahasuar me Lionel Messin. Në mesin e tyre edhe dy shqiptarët, Xherdan Shaqiri e Zhegrova. Por, asnjë nga futbollistët që konsideroheshin si Messi i ardhshëm nuk e kanë arritur nivelin e argjentinasit

Sapo të dalë një talent, njerëzit fillojnë ta krahasojnë me Lionel Messin, shkruan Gazeta Express.

Në vende të ndryshme të botës, futbollistët e rinj i konsiderojnë si “Messi i ardhshëm”.

Njëjtë kishte ndodhur edhe me Xherdan Shaqirin, të cilin e thërrisnin si “Messi i Alpeve”, por edhe me Edon Zhegrovën, nofka e të cilit është “Messi i Kosovës”.

Mirëpo, asnjëri nga futbollistët e shumtë që u krahasuan me pesë herë fituesin e Topit të Artë nuk iu afruan nivelit të argjentinasit.

Tabloidi britanik “The Sun” e ka publikuar një hartë ku shihen futbollistët e shumtë nga vende të ndryshme të botës që janë krahasuar me yllin e Barcelonës, e në mesin e tyre janë edhe dy yjet shqiptare, shkruan Gazeta Express.

“Messi i Zvicrës – Xherdan Shaqiri. Krahasimi me Messin është shumë hapa larg, por Shaqiri është një talent i madh dhe do të mund të luante në shumë ekipe të botës. Ai ka luajtur për disa klube të mëdha në botë dhe ka shënuar gola në dy Botërorë dhe në Kampionat Evropian”, shkruan “The Sun”, duke e përshkruar yllin kosovar, i cili luan për Zvicrën dhe Liverpoolin.

“Messi i Kosovës – Edon Zhegrova. U bë sensacion në YouTube në vitin 2014 duke i treguar shkathtësitë e tij, ndërsa kur i mbushi 15 vjet shënoi plot gola, të cilat u panë nga mijëra njerëz.

Arsenali, Paris Saint-Germaini dhe Barcelona u interesuan për të, por në atë kohë lëvizi Standard Liege, i cili e transferoi atë në Belgjikë, për të shkuar më pas në Genk. Më pas, Baseli vendosi ta marrë atë në fillim të këtij viti, duke e huazuar për 18 muaj. Numri 10 i ka zhvilluar disa ndeshje me klubin, por pritet të luajë rol më të rëndësishëm vitin tjetër”, vazhdon shkrimin tabloidi i njohur anglez./Express