Kryetarja e Grupit Parlamentar të opozitës së re, Rudina Hajdari, ka goditur ashpër krerët e politikës shqiptare të periudhës post-komuniste. Duke shënjestruar direkt Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, deputetja Hajdari ka deklaruar se ata kanë bërë sërish pakt, si në vitin 2017.

Sipas saj, Basha dhe Rama nuk kanë bërë marrëveshje për shqiptarët, por për zuzarët. Më tej, ajo iu ka përcjellë një mesazh të fortë dhe të qartë krerëve të politikës dhe bandave të tyre se ajo nuk është vetëm, por është më shumë se ç’mund të mendojnë ata.

“Nuk është fundi i Shqipërisë, por është fundi i politikës 28 vjeçare. Kërkesa që kam ndaj njerëzve është të flasim me ndjesi, u drejtohem atyre që jo vetëm më dëgjoni por edhe më kuptoni, jo vetëm më vështroni por edhe më shikoni, do flas me fjalët e shpirtit.

Në kohë të jashtëzakonshme është e udhës të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, shumë njerëz më thonë, mos, se ky vend ka marrë fund, mos se Shqipëria nuk bëhet, shqiptarët janë dembelë, mos se këta janë të rrezikshëm, se këta kanë bërë marrëveshje, se media është e shitur, mos se je vetëm.

Unë ndiej se nuk jam vetëm, ky vend nuk ka marrë fund, e këta kanë marrë fund se shqiptarët nuk janë dembelë por këta janë dembelë, këta nuk janë të rrezikshëm por të frikësuar në palcë, kanë bërë marrëveshje por jo për shqiptarët por për zuzarët. Unë i detyrohem këtij vendi shumë dhe kam për të bërë gjithçka, nuk jam vetëm, jemi më shumë se çmendohet dhe më shumë se ç’mund të thuhet”, është shprehur Hajdari.

Kujtojmë që Rudina Hajdari ka fituar mbështetjen e gjerë të ndërkombëtarëve, që pas vendimit të saj për të mos djegur mandatin e deputetes.

Aleatët strategjikë të Shqipërisë i kanë ofruar Hajdarit gjithë mbështetjen, duke e parë atë si një figurë të rëndësishme, që mund të rrëzojë politikën kriminale dhe korruptive të demokracisë.