Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka hyrë në Presidencë për të zhvilluar bisedime me Ilir Metën mbi datën e re për zgjedhjet lokale. Burime për Top Channel bëjnë me dije se Milo ka hyrë pak minuta më parë në zyrën e presidentit.

PDS bëhet kështu partia e parë e majtë që pranon shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale. Kjo parti është regjistruar gjithashtu në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhje në datën e parë të përcaktuar nga Meta, por Milo tha të hënën në emisionin ‘Open’ se ndihet i shqetësuar se kriza e rëndë politike mund të shkaktojë një shpërthim social të pakontrolluar.

Më herët në Presidencë ishin partitë aleate të Partisë Demokratike për të diskutuar me Metën mbi datën e re të zgjedhjeve. Dashamir Shehi theksoi se në takim nuk pati një propozim konkret, por data e re do të përcaktohet pas një marrëvesheje politike, nëse PS dhe PD do i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentit.

Top Channel