Italia reagon e para në rang ndëkrombëtar, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi dekretin e Presidentit Ilri Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ministri i Jashtëm italian, Enzo Moavero ka pasur një telefonatë me kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës joparlamentare Lulzim Basha, ku siç bëhet e ditur nga ministria e Jashtme italiane, zyrtari italian u ka konfirmuar të dyve, se është me rëndësi që të shmanget dhuna në zgjedhjet e 30 qershorit dhe apelon për dialog mes palëve për të siguruar zgjedhje të qeta në 30 qershor.

Ai ka theksuar “rëndësinë thelbësore për të siguruar në mënyrë absolute respektin ndaj rregullave themelore të demokracisë, dhe sundimit të ligjit”.

“Pavarësisht divergjencës së vlerësimeve midis forcave politike shqiptare, është thelbësore të shmangen të gjitha format e dhunës dhe të shprehen mendimet dhe qëndrimet përkatëse në mënyrë demokratike”, përsëriti ministri.

Ministri i Jashtëm italian, bën të ditur se zgjedhjet do të monitorohen nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE-ODHIR, vëzhgues nga shumë vende të tjera, përfshirë edhe Italinë.