Një emër relativisht i ri për Portokallinë por një yll në ngjitje në botën e humorit, Delinda Disha ka ditur ta shfaqë siç duhet talentin e saj duke luajtur role jo pak të komentuar.

Një nga rolet e saj më të suksesshme ka qenë imitimi i Drejtoreshës së Tatimeve më pas Eni Vasilin apo Jonida Shehun.

Publiku e ka pritur me pozitivitet imitimin që ajo ka bërë, ashtu sikundër dhe personat e mësipërm, por ka pasur edhe nga ata që janë mërzitur dhe ia kanë shprehur personalisht Delindës këtë gjë. E ftuar këtë të shtunë në emisionin “Thumb” nga Aulona Musta dhe Fatma Haxhialiu, aktorja e njohur ka treguar se kur ajo ka imituar një zyshë të Psikologjisë mjaft e njohur në rrethin artistik, e cila ka reaguar keq ndaj këtij imitimi që iu bë në skenën e “Portokalli”-së.

“Unë sapo fillova “Portokalli”-në dhe luaja rolin e një socioterapiste, një personazh. Ishte e njohur në rrethin tonë artistik sepse unë imitoja një pedagoge tonë të Psikologjisë. Zysha u mërzit në fakt, u mërzit shumë. Nuk donte që ta vazhdoja. Unë pata një periudhë po fakti që më mori prapë në telefon, ne u takuam pimë kafe. Unë kam marrëdhëne shumë të mira tani. Ishte një dëshirë e saj që mos të vazhdonte më ky personazh. Pavarësisht se mua më ikën lekët. Ishte vetëm një dalje e parë në fillim të sezonit kur unë kam hyrë në “Portokalli”.”- është shprehur Delinda duke shtuar se nuk e luajti më atë personazh pasi kështu deshi vetë ajo, edhe pse në atë kohë pati sukses.