Ashtu si Shqipëria, që është prekur nga një valë e të nxe htit afrikan, edhe rajonet qendrore të Italisë dhe Sardenja nga e premtja përgatiten për temperatura që mund të mbërrijnë sipas sinoptikanëve nga 38 deri në 40 gradë Celsius.

Por befasues është lajmi i sinoptikanëve se në disa rajone të vendit, janë përballur ndërkohë me stuhi.

Fundjava do të sjellë praktikisht valën e parë të të nxehtit të mirëfilltë afrikan, thotë shtypi vendas, dhe më i prekur do të jetë jugu ku mund të zgjasë përgjatë gjithë javës së ardhshme.

Ndërkohë në Lecchese dhe Valtellina është dhënë alarmi nga moti i keq dhe vërshimi i ujrave pas stuhive të dhunshme të mbrëmjes së kaluar. Në zonën e Lecco-s, siç thotë Corriere della Sera, janë evakuar disa shtëpi e biznese.

Shqetësuese paraqitet situata në Val Varrone, ku autoritetet i druhen shëmbjes së një dige. Në disa zona të prekura, ka pasur edhe vështirësi në qarkullimin e trenave.

Ndërkohë ka qenë maksimal mobilizimi i skuadrave zjarrfikësve, karabinierëve, ndërsa është vlerësuar shumë dhe ndërhyrja e mbrojtjes civile me qindra vullnetare. Sipas ekspertëve, ndër qytetet që do ta ndiejnë më fort peshën e të nxehtit afrikan në vijim do të jenë Roma, Perugia, Firenze, Bologna e Frosinone.