Partia Socialiste ditën e djeshme mblodhi Kryesinë dhe mori vendimin që të niste shkarkimin e Presidentit të Republikës, pas anulimit të datës së zgjedhjeve nga ky i fundit. Sot mësohet se PS do të vijojë dhe më tej nismën ë saj dhe do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve.

Konferenca mësohet se në rend dite do të ketë kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili kërkon zhvillimin e një debati parlamentar pas vendimit të Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve.

“Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’ dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike, si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të të cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkëngjitur”, shkruhet në deklaratën e Ballës.

Kujtojmë se ditën e djeshme Presidenti i Republikës ka dhënë argumentet e tij në lidhje me shfuqizimin e dekretit për datën e zjgehdjeve. Partia Socialiste pas këtij vendimi ka marrë nismën për shkarkimin e Metës, duke thënë se ka bërë një akt brutal ndaj kushtetutës. Nga ana tjetër deputetët e PS kanë nisur dhe mbledhjen e firmave dhe kërkojnë një debat në Kuvend për të shteruar argumentet pse Meta duhet të mos qëndrojë më në zyrën e tij. PD-ja nga ana e saj ka marrë vendimin për krijimin e një Aleance Qytetarë për Mbrojtjen e Demokracisë.