Gjatë ndeshjes së yjeve në “Fadil Vokrri”, Granit Xhaka e festoi golin e tij duke bërë shqiponjën me duar, përkundër që para disa ditëve kishte premtuar se nuk do ta bënte më një gjë të tillë.

Granit Xhaka dhe Milot Rashica ishin sot kapitenë të dy skuadrave që u ndeshën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për një ndeshje bamirëse për dhjetë familje nevojtare. Ndeshja përfundoi me rezultat 4:4 dhe raportin e ndeshjes mund ta lexoni këtu, shkruan Gazeta Express.

Gjatë kësaj ndeshje, Xhaka e shënoi njërin nga tetë golat në “Fadil Vokrri” dhe atë e festoi duke e bërë shqiponjën me duar.

Më parë, Xhaka dhe Shaqiri shkaktuan tërmet dhe reagime të mëdha – sidomos ankesa nga Serbia e cila i akuzoi ata për festim politik të golave – kur i festuan dy golat e fitores së Zvicrës 2:1 kundër Serbisë në një ndeshje të Grupit E në Botërorin e Rusisë duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, që është simbol në flamurin kombëtar shqiptar, shkruan Gazeta Express.

Dyshja nga Kosova rrezikoi pezullim të gjatë, por FIFA vendosi kundër një vendimi të tillë dhe i dënoi ata vetëm me gjoba.

Mesfushori i Arsenalit dhe sulmuesi i Liverpoolit u gjobiten me nga 10 mijë franga zvicerane secili, por morën edhe një paralajmërim nga organi qeverisës i futbollit botëror se do të ndëshkohen rëndë nëse e përsërisin të njëjtën gjë në të ardhmen.

I pyetur para disa ditësh nga gazeta zvicerane Blick për festimin me shqiponjë ndaj Serbisë, Xhaka tha: “Ishte një fitore e rëndësishme me një gol në minutën e fundit dhe një ndeshje nga e cila kam mësuar shumë”.

“Një situatë e tillë nuk do të ndodhë më. Në përgjithësi, megjithatë, unë do të reagoj më shpejt në të ardhmen nëse kam nevojë për koment apo për përmirësim”, theksoi Xhaka kur u pyet sesi do të reagonte./Express