Trupi i pajetë i futbollistes shqiptare të Zvicrës, Florijana Ismailit, është nxjerrë nga Liqeni Como në Itali, aty ku 24-vjeçarja u gjet sot, dy ditë pasi u raportua e zhdukur.

Trupi i futbollistes shqiptare të Zvicrës dhe Young Boys u gjet në një thellësi prej 204 metrave, jo larg vendit ku ishte zhdukur në Liqenin Como në Itali, shkruan Gazeta Express.

24-vjeçarja me origjinë shqiptare ishte futur në ujë në liqenin Como të shtunën pasdite duke mos u rishfaqur më.

Mediat italiane kanë publikuar pamje nga momentet e tërheqjes së trupit të 24-vjeçares, i cili u gjet në një thellësi prej 204 metrave afër vendit ku kishte kërcyer në ujë nga një anije që e kishte marrë me qira bashkë me një mike të veten.

Ismaili, e lindur në Bern nga prindër shqiptarë, ka qenë pjesë e Young Boys që prej vitit 2011. Më 2014, ajo debutoi edhe në ekipin kombëtar të Zvicër dhe që prej atëherë i zhvilloi 33 ndeshje.