Ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi lëshon një tjetër deklrataë të fortë. Në një intervistë për gazetën “Dita”, Klosi thotë se një dosje e vjetër 20-vjeçare, ka fakte përvëluese për një kryeministër socialist, i cili ka qenë i përfshirë në aferë korruptive dhe dosjen e tij, Klosit ia kanë dhënë amerikanët.

Por kush është ky kryeministër socialist që ka trazuar ujërat e turbullta në Shqipërinë e para 20 viteve?

Nëse analizojmë të dhënat kohore, Fatos Klosi u emërua drejtues i SHISH në gusht të 1997 nga Fatos Nano. Në vitin 1998, Pandeli Majko u bë kryeministër dhe marrëdhëniet e tij me Klosin nuk ishin në ditët më të mira. Majko u emërua në tetor të ’98-ës e gati një vit pas tij, kryeministër u bë Ilir Meta, i cili e mori postin në nëntor të 1999-ës. Meta qendroi në postin e kryeministrit deri në shkurt të 2002, e më pas këtë post e rimori Majko, e pas tij Nano. Nga ajo që Klosi thotë, kryeministri i përfshirë në këtë aferë të amerikanëve, është Majko ose Meta.

Klosi u qëndron besnik parimeve të fshehtësisë kur është fjala për marrëveshjet e lidhura me partnerët tanë strategjikë, marrëdhënie që sipas tij jo vetëm duhen ruajtur, por edhe duhen konsoliduar e forcuar në vijimësi për të mirën e Shqipërisë, por edhe të paqes e stabilitetit në vend dhe në rajon. Vetëm dy ditë më parë Fatos Klosi tha se kur ka qenë kreu i SHIK ka pasur informacione shumë të rëndësishme që flisnin për aferat korruptive të një kryeministri. Duke qenë një situatë e paparashikuar nga ligjet e vendit, ai tha se kishte mbetur në rrethana të vështira. Klosi shtoi se nuk e kishte informuar kryeministrin në fjalë për situatën, ndonëse kishte pyetur amerikanët qe ia kishin sjellë informacionin. Duke theksuar se kishte punuar me tre kryeministra të ndryshëm, Klosi tha që informacioni i ishte dërguar presidentit, që i kishte thënë shprehimisht “po unë ça ta bëj këtë”.

Klosi përfundoi me fjalët: “Është një rast që nuk është parashikuar gjëkundi në ligjet tona. Në qoftë se mendohet se është i korruptuar kryeministri është skandal, nuk shtrohet problemi çfarë bën SHIK-u. Shteti nuk i ka parashikuar këto gjëra”.

Intervista e plotë:

-Zoti Klosi, vendi është i përfshirë në një përplasje të madhe politike, që ka paralizuar thuajse zhvillimin normal në çdo sektor. Si e gjykoni këtë situatë?

– Është një situatë shumë e vështirë pasi, siç thatë dhe ju, po pasqyrohet në çdo sektor të jetës së vendit. Dhe nuk shihet asnjë perspektivë politike për zgjidhjen e situatës, ndërkohë që të dy grupimet janë barrikuar në pozicionet e tyre. Opozita kërkon me një këmbëngulje absurde, që zgjidhja të vijë nga propozimet e saj, duke “harruar” se është minorancë.

-Opozita është larguar fare nga sistemi, duke djegur mandatet, duke bojkotuar zgjedhjet dhe protestuar herë me dhunë e herë paqësisht, duke kërkuar që të largohet kryeministri. Sipas saj përgjimet për blerjen e votës janë arsye të mjaftueshme që ajo të mos e pranojë më zotin Rama si kryeministër. Ju keni qenë vetë i angazhuar në zgjedhje vite më parë, a blihen votat dhe si mund të frenohet ky fenomen?

– Sigurisht që ca vota dhe mund të blihen, dhe janë blerë me kohë, dhe kjo ndodh më kollaj në zonat rurale, ku ka më shumë varfëri dhe që janë më pak të monitoruara. Përgjimet janë një provë e parë materiale për dukurinë e blerjes së votës, por që nuk tregojnë se dukuria është e re. Pastaj, ato janë bërë në mjedise shumë të kufizuara, dhe në asnjë mënyrë nuk mjaftojnë për ta përgjithësuar problemin. Nga ana tjetër janë vetëm prova, që duhet të trajtohen në një proces gjyqësor, dhe atëherë vjen koha e trajtimit të pasojave që kanë patur dhe e masave që duhen marrë. Të kërkosh që sot, që t’i përdorësh si argumente për largimin e Kryeministrit, është thjesht një pretekst që tregon se nuk je i përgatitur seriozisht për atë që po kërkon.

-Nga ana tjetër mazhoranca thotë se opozita është arratisur nga sistemi për shkak të frikës nga Reforma në Drejtësi. Sa realiste është kjo dhe pse theksohet kaq shumë që opozita ka frikë, ndërsa mazhoranca nuk paska frikë?

– Unë e besoj këtë tezë. Të gjithë, në shkallë të ndryshme, e kanë frikë Reformën. Opozita më shumë, mendoj për dy arsye: titullarët e saj kanë më shumë zullume mbi shpatulla dhe nga ana tjetër e ndjejnë vetën më larg proceseve që po çojnë në Sistemin e ri gjyqësor.

– Ju besoni se do të kemi një sistem drejtësie të pavarur?

– Besoj se po, pasi me këtë Reformë janë angazhuar seriozisht partnerët kryesorë ndërkombëtarë të vendit, ata janë pjesë e rëndësishme e strukturave kryesore dhe më delikate. Dhe po bëjnë këtu, atë që në vendet e tyre funksionon prej kohësh, pra besoj se nuk do gabojnë. Natyrisht, nuk ka për të qenë e lehtë, të paktën për shkak të traditave të ndryshme.

-Aktualisht vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe nuk dihet ekzakt se sa do zgjasë kjo gjendje. Mendoni se kjo është një fazë tranzitore apo palët janë duke e zvarritur me qëllim një situatë të tillë?

– Kam dëgjuar që puna për ngritjen e SPAK ka filluar, shpejt do fillojë dhe ngritja e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, është një periudhë e zgjatur tranzicioni , por nuk është fundi i botës. E vetmja ngjarje e rëndësishme e kësaj periudhe ishin zgjedhjet e fundit lokale, që sigurisht, e ndjenë mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Le të shpresojmë që të votuarit e kësaj radhe do të jenë më të mirë se paraardhësit . Zgjedhjet e tjera do t’i kenë të gjitha institucionet e duhura të drejtësisë dhe të shpresojmë se do të bëhen pas një Reforme zgjedhore, shumë të nevojshme.

-Zoti Klosi, dy ditë më parë ju jeni shprehur se kur keni qenë drejtues i SHISH, amerikanët ju kanë vënë në dispozicion një dosje me afera korruptive të një kryeministri. Mund të na thoni ndonjë detaj për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

– Dhe aq sa thashë, ndoshta thashë shumë, pasi bëhet fjalë për një bashkëpunim me partnerët kryesorë të Shërbimit, dhe nuk është në traditën e punëve të mira, që aspekte të bashkëpunimeve midis Shërbimeve të bëhen publike, edhe se ka kaluar shumë kohë nga ngjarja.

-Ju thatë se bëhej fjalë për një rast që nuk e parashikonte ligji. Cila është ajo vepër që lidhet me korrupsionin dhe nuk e parashikon ligji?

– Problemi nuk ka qenë kaq i thjeshtë. Ligji për Shik-un është një ligj kuadër, që jep vetëm parimet e përgjithshme të detyrave, të lidhjeve me institucione nga ku varet, të mënyrës së përcaktimit të prioriteteve të punës, të kufizimeve të detyruara në trajtimin e subjekteve dhe të organizimit të brendshëm të Shërbimit. Kur u hartua ligji i ri i Shërbimit, që u realizua me ndihmën e madhe të partnerëve amerikanë, as që mund të mendohej që kupola e Shtetit të ishte ndonjëherë subjekt i Shërbimit, prandaj problemi nuk ishte i thjeshtë.

-Si vepruat pasi u njohët me rastin?

– Ju thashë pak më parë, edhe kaq sa kam thënë në publik është shumë.

-Në çfarë viti ju ka ardhur kjo dosje, cila ishte biseda që patët me presidentin Meidani, dhe a mund të hapet sot një dosje e tillë, duke qenë se kryeministrat e asaj kohe i kemi ende gjallë?

– Ky është një nga problemet e Sistemit të ri të Drejtësisë.

-A kanë amerikanët dosje për politikanët shqiptarë?

– Sigurisht, ata janë fuqi botërore dhe përpiqen të dinë gjithçka që munden për armiqtë, por dhe për miqtë e tyre. Informacionet për integritetin e partnerëve të rëndësishëm, janë të domosdoshme për zgjedhjen e mënyrës së bashkëpunimit me ta.

-Cilat janë veprat që politikanët janë më shumë të përfshirë?

– Unë sot di, aq sa lexohet dhe shihet në media. Natyrisht, një filtrim i logjikshëm i këtij informacioni është i domosdoshëm. Vepra më e përhapur e paligjshme midis politikanëve është përfitimi i paligjshëm, apo shkurt, korrupsioni. Shpresoj që Sistemi i ri i drejtësisë do vërë gishtin mbi këtë fenomen, për ta minimizuar, por dhe për të ndarë politikanët e ndershëm nga ata të korruptuar.

-Me bërjen e drejtësisë së re, mund të shpresojmë se do të ketë fakte të papublikuara që ndërkombëtarët do të vënë në dispozicion të prokurorëve?
– Besoj se do ketë.

-Zoti Klosi ju keni qenë anëtarë kryesie i LSI dhe njeh mirë raportet mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Si e shikoni këtë marrëdhënie mes tyre?

– Në përgjithësi nuk kanë qenë shumë miqësore, kanë patur shumë dritë-hije.

-Mendoni se parlamenti do ta shkarkojë presidentin, dhe a është e motivuar një gjë e tillë?

– Më duket se armiqësia aktuale midis Parlamentit dhe Presidentit nuk është proporcionale me ngjarjet e ndodhura. Më vjen keq që ngjarjet nuk u diskutuan para se të ndodhnin dhe të ish gjetur një trajtim më racional i tyre.

-Si e shikoni të ardhmen politike të zotit Meta?

– Tek LSI, siç është tradita dhe e vërteta.

–A rrezikon vendi në një përplasje civile nëse arrestohet ndonjë prej krerëve të opozitës?

– Më duket absurde. Kush do të sakrifikonte për ca krerë që kanë gabuar dhe po gabojnë përditë, përveç ndonjë militanti ekstrem. Kush do ishte pala tjetër, veç forcave të rendit? Nuk do ishte përplasje civile, por një vazhdim i përplasjeve që pamë në disa prej protestave të dhunshme të Opozitës.

-Pyetja e fundit, a mendoni se ka ardhur koha që kjo klasë politike të dalë në pension për të lënë qarkullimin e elitave dhe t’ia lënë stafetën brezit të ri?

– Po, ka ardhur dhe ka kaluar, shumica e politikanëve të rëndësishëm janë prej pothuaj 30 vjetësh në politikë. Por është dhe një problem po kaq serioz, nuk ka politikanë të rinj seriozë, ata që janë evidentuar gjer më tani, janë bërë të tillë se u janë servilosur dhe mbajnë si idhuj, të vjetrit. Gjetja e politikanëve të rinj, me koncepte dhe mendësi të reja, do të jetë një problem shumë i vështirë i së ardhmes. Gjer më tani të gjithë ( pothuaj) të rinjtë që i janë afruar politikës, e kanë bërë për të përfituar prej saj.