Florijana Ismaili është mbytur në liqenin e Comos në Itali, ku kishte shkuar për t’u freskuar të shtunën pasdite me një shoqe të saj. Mediat e huaja shkruajnë se arsye e vdekjes konsiderohet një sulm kardiak për shkak të ndryshimit të temperaturës kur ajo kërceu në ujë

Trupi i pajetë i Florijana Ismailit është gjetur dje në fund të liqenit të Comos në Itali, shkruan Gazeta Express.

Dhe, kanë nisur tashmë hipotezat e arsyes që mund të ketë çuar deri tek vdekja e futbollistes nga Kosova, e lindur dhe rritur në Zvicër.

Sipas mediave të huaja, 24 vjeçarja mund të ketë pësuar sulm kardiak sapo ka kërcyer në ujë në liqenin italian, ku kishte shkuar për t’u freskuar të shtunën pasdite me një shoqe të saj.

Temperatura në atë kohë shënonte 33 gradë celzius dhe ndryshimi i madh i temperaturës porsa kërceu ajo në ujë e ka shkaktuar edhe sulmin në zemër.

Florijana kishte kërcyer në ujë dhe nuk ishte shfaqur më.

Autoritetet zvicerane dhe ato italiane e kërkuan plot dy ditë dhe e gjetën falë një roboti të angazhuar për të kërkuar në thellësi të mëdha.

Bota e futbollit është tronditur për humbjen e futbollistes së Young Boys dhe Kombëtares së Zvicrës.