VMRO-DPMNE-ja i ka dalë në mbrojtje vendimit të presidentit George Ivanov, për të refuzuar dekretimin e 11 ligjeve te miratuara me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

Deputeti i Partisë më të madhe opozitare në Maqedoni, Vllatko Gjorçev theksoi se është e drejtë e garantuar me ligj që presidenti të kthejë për rishqyrtim në Kuvend, ligjet për të cilat konsideron se nuk ka bazë ligjore që të dekretohen.

Siç bënë të ditur shërbimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për ligje në sfera të ndryshme si ekonomi, marrëveshje për bashkëpunim mes shteteve, marrëveshje për shërbimet e sigurisë, ligjin e komunikimeve elektronike, apo lirinë e qasjes në informacionet e karakterit publik.

Mosdekretimin, Ivanov e justifikoi me argumentin se “gjatë ushtrimit të këtij funksioni, ka vepruar gjithmonë në bazë të betimit të bërë se do të mbrojë Kushtetutën dhe interesat e Republikës së Maqedonisë”.

Kreu i shtetit nuk ka dekretuar as ligjet e miratuara me dy të tretat e votave qe kanë të bëjnë me reformat në gjyqësor, të cilat konsiderohen si kyçe për procesin e integrimit Evropian të vendit./tch