Edhe pse jetojnë në një vend që ka nisur rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE dhe nuk ka konflikte të brendshme apo luftëra, shqiptarët duan të largohen më shumë se çdo shtet tjetër në botë.

Në 12 muajt e fundit shqiptarët kanë shënuar numrin më të lartë të azilkërkuesve për herë të parë në raport me popullsinë, duke lënë pas edhe popujt që po largohen nga lufta.

Bazuar në të dhënat që ka publikuar Eurostat mbi numrin e aplikimeve të reja në 12 muajt e fundit, popullsinë sipas Bankës Botërore dhe llogaritjeve të “Monitor”, për çdo 1000 banorë shqiptarë, 6.5 prej tyre kanë aplikuar për azil në Bashkimin Europian.

Në vend të dytë, pas Shqipërisë, për numër të lartë aplikimesh për 1000 banorë renditet Siria me 4.7 aplikime gjatë 12 muajve të fundit, nga ku azilkërkuesit largohen prej luftës drejt vendeve të Bashkimit Europian. Të tretët renditen gjeorgjianët, ku numri i aplikimeve për azil në 12 muajt e fundit llogaritet 3.9, pasuar nga Eritrea, ku numri i azilkërkuesve për herë të parë është 3.6 për 1000 banorë.

Iraku dhe Palestina, vende që kanë gjithashtu një numër të lartë azilkërkuesish, për 1000 Banorë kanë shënuar përkatësisht 1.2 dhe 1.1 aplikime.

Kryesisht në 30 vendet me numrin më të lartë të aplikuesve bëjnë pjesë shtetet që janë në luftë dhe konflikte, disa vende afrikane dhe shtete që aktualisht po përballen me kriza të forta ekonomike, si Venezuela dhe Turqia.

Ndërsa për sa i përket numrit në vlerë absolute të azilkërkuesve për herë të parë në Bashkimin Europian, nga Shqipëria janë regjistruar në vetëm 12 muajt e fundit 18,620 aplikime, duke u renditur të shtatit nga 30 vendet e origjinës që kanë numrin më të lartë të azilkërkuesve. Në vend të parë qëndron Siria me mbi 86 mijë aplikime, Iraku me mbi 43 mijë, Afganistani me mbi 36 mijë, Nigeria mbi 29 mijë, Pakistani mbi 25 mijë dhe Eritrea me mbi 19 mijë.

Megjithatë, duke marrë në konsideratë numrin e popullsisë së këtyre shteteve, numri i aplikimeve nga Shqipëria mbetet shqetësues, edhe pse fluksi i aplikimeve për azil ka ardhur në rënie, pasi kulmoi në 2015-n, me mbi 60 mijë aplikimeve, ka zbritur në nje mesatare prej rreth 16-20 mijë aplikime në vit..

Në 6 mujorin e parë 8040 aplikime
Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018, numri në total i aplikimeve për herë të parë nga shqiptarët për azil llogaritet 8040.

Sipas statistikave të Eurostat në tremujorin e dytë të 2018-s në të gjithë Bashkimin Europian u regjistruan 136,700 azilkërkues për herë të parë. Krahasuar me një tremujor më parë, numri i azilkërkuesve në BE u rrit me 4%. Në T1 të këtij viti aplikuan për azil rreth 131,400 azilkërkues. Pjesa më e madhe e aplikimeve janë regjistruar në Gjermani, Francë dhe Greqi. Ndërsa Eurostat raporton se afërsisht 1 milion aplikimi për azil janë ende në pritje.

Shqipëria vijon të jetë shteti europian me numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE. Sipas statistikave që ka publikuar Eurostat, në tremujorin e dytë të vitit 2018 aplikuan për herë të parë për azil 3930 persona, apo 3% e totalit të azil kërkuesve në Bashkimin Europian.

Franca, destinacioni i preferuar i azilantëve shqiptarë
Franca rezulton të jetë vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve edhe për tremujorin e dytë të 2018-s, me 38% të kërkesave, apo rreth 1495 aplikues.

Në vend të dytë për numër të lartë aplikuesish, ndryshe nga tremujorët e kaluar renditet Greqia, me rreth 20% të kërkesave për azil apo 800 aplikues.

Ndërsa në vend të tretë është Mbretëria e Bashkuar, ku vetëm gjatë tremujorit të dytë kanë aplikuar për azil rreth 500 shqiptarë, apo 13% e totalit. /Monitor/