Urimin e saj për 8 Mars, si dhe mesazhin për fuqizimin e vajzave dhe grave shqiptare, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu, e dha ditën e sotme nga studio e ERTV ku foli për programet e reja të qeverisë për kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale të grave.

“Unë besoj fort se misioni i një gruaje në politikë është një mision shumë fisnik sepse duhet të bëhet zëri i fortë i atyre vajzave që nuk u është dhënë zë apo kanë njohur veç heshtjen. Për çdo grua që është në politikë, është përgjegjësia që të përkushtohet për të dhënë 100 % nga vetja për të transmetuar zërin e vajzave dhe grave.Mbështetja jonë shkon së pari për gratë që nuk kanë zë.”, tha Manastirliu.

Më tej Manastirliu renditi të gjitha programet e reja të mundësuara nga qeveria shqiptare për të garantuar kujdesin shëndetësor për vajzat dhe gratë.

“Objektivi ynë madhor mbetet mbulimi shëndetësor universal, shërbimi i aksesueshëm cilësor dhe i përballueshëm. Programet fillojnë me programet e parandalimit dhe janë shumë të rëndësishme. Ne jemi fokusuar që në këto 5 vite të qeverisë të forcojmë kujdesin parësor, lidhur jo vetëm me programet e kontrollit që prekin targetin 35 deri 70 vjeç, siç është kontrolli mjekësor bazë. Nga kontrolli mjekësor bazë përfituan 428 mijë qytetarë dhe pikërisht më shumë se 50 përqind e përfituesve ishin gra që përfituan falas paketën e kontrollit mjekësor bazë. Një paketë që kryhet një herë në vit falas në çdo qënder shëndetësore, me rëndësi për parandalimin e sëmundjeve”, tha Manastirliu.

Ministrja Shtoi se ndërgjegjësimi i vajzave dhe grave për kujdes shëndetësor është rritur, pasi në vitin 2018, bashkëpunimi i mjekut të familjes me qytetarët dhe banorët ka rritur mbulesën në territor për sa i përket kontrolit mjekësor bazë.

Ajo njoftoi gjithashtu se në Tiranë po pilotohet programi i ftesës personale për kontrollin mjekësor bazë. Ftesa personale do i shkojë në shtepi çdo qytetari nga mosha 30 deri në 75 vjeç, në muajin e lindjes për të kryer kontrollin mjekësor bazë.

Sot, sipas Manastirliut, falë mamografive të reja në 5 spitale rajonale dhe përmes njësive të lvizshme të mamografive, gratë kanë mundësinë të kryejnë falas ekzaminimin e kancerit të gjirit. Në të njejtën kohë sapo ka nisur programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës nga i cili pritet të përfitojnë 70 mijë gra në vit që do e kryejnë falas testin hpv.

Ministrja shtoi se përveçse programeve të shëndetësisë, qeveria e ka fokusuar vëmendjen6 te mbështetja sociale, veçanërisht për gratë në nevojë duke përmendur programet për edukimin profesional të grave nga shtresat vulnerabël dhe rintegrimin e tyre në jetën sociale dhe tregun e punës.