Të paktën pesë ushtarë afganë janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë lënduar nga sulmet ajrore të forcave amerikane në provincën Uruzgan, e cila ndodhet në jugperëndim të Afganistanit.

Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit ka njoftuar përmes një deklarate, në të cilën e ka bërë të ditur numrin e ushtarëve të vrarë, se ata kanë qenë duke patrulluar në një pikë kontrolli.

“Ky sulm ka ndodhur për shkak të mungesës së koordinimit mes forcave amerikane dhe ushtarëve afganë”, ka thënë një zyrtar i kësaj ministrie për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Njësia mbështetëse e NATO-s në Kabul ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të sakta ajrore si vetëmbrojtje ndaj të shtënave me armë zjarri që janë drejtuar kundër tyre dhe kundër ushtarëve afganë.

Sidoqoftë, ky mision nuk ka konfirmuar nëse në këto sulme ka pasur viktima. “Sulmet ajrore janë kryer pasi forcat amerikane dhe afgane janë goditur me armë të vogla dhe granata, prandaj kanë kërkuar përforcime ajrore për t’u vetëmbrojtur”, tha një zëdhënëse e NATO-s.

Rreth 17 mijë trupa të huaja janë vendosur në Afganistan këtë muaj si pjesë e një misioni të NATO-s për trajnim, asistim dhe këshillim të forcave afgane. Disa forca amerikane gjithashtu marrin pjesë në operacione kundër terrorizmit në bashkëpunim me forcat afgane, shkruan “Retuers”, transmeton Gazeta Express.