Ashtu siç pati kërcënuar FSHF ka hedhur në gjyq Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për shkak të stadiumit “Arena Kombëtare”.

Lajmi është konfirmuar për “Report TV” nga burime brenda federatës të cilët bëjnë me dijë se “shoqëria kuq e zi” kërkon rimbursimin e investimit që ka bërë në stadiumin “Arena Kombëtare”, diçka e cila deri më tani nuk ka ndodhur nga institucioni përgjegjës.

Sipas ligjit Komisioni i Apelit në Ministrinë e Ekonomisë duhet të rimbursojë TVSH-në për pjesën e investimit të kryer nga federata shqiptare e futbollit. Si pasojë mungojnë 2 mln euro, të cilat ndikojnë në përfundimin e punimeve në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Aktualisht punimet janë në një fazë të avancuar dhe pritej që stadiumi të ishte i gatshëm në muajin qershor. Deri në këtë pikë e sigurtë është se kombëtarja shqiptare dy ndeshjet e para të kualifikueseve të Europianit 2020 nuk do ti zhvillojë në këtë impiant, por duke parë edhe problemet me rimbursimin e TVSH-së përfundimi I punimeve rrezikon të zgjasë me vite.

Arena Kombëtare nisi ndërtimin në qershor të 2016 në vendin ku më parë ishte stadium “Qemal Stafa”./Shqiptarja