Policia e Shtetit ka dalë me një komunikatë zyrtare për funeralin e minoritarit Kostandino Kaçifas ditën e sotme në fshatin Bularat të Gjirokastrës, si dhe për thirrjet antishqiptare nga ekstremistët grekë.

NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË SË SHTETIT:

Gjatë mesditës së sotme, në fshatin Bularat të Bashkisë Dropull, Gjirokastër u zhvillua ceremonia mortore e të ndjerit K.K.

Policia e Shtetit, për të garantuar mbarëvajtjen e ceremonisë mortore, si dhe shmangjen e incidenteve të mundshme që mund të lindnin nga prezenca e personave me prirje ekstremiste, mori një sërë masash parandaluese.

Në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije, Policia ka kryer kontrolle të imtësishme të personave, të cilët vinin nga Greqia për të marrë pjesë në ceremoninë mortore në Bularat.

Si rezultat i kontrolleve, nuk u është lejuar hyrja në Shqipëri për 44 qytetarë grekë, të cilët janë kthyer mbrapa, pasi disponoheshin të dhëna se ata mund të krijonin incidente në fshatin Bularat.

Gjithashtu, gjatë verifikimeve janë evidentuar dhe proceduar penalisht për nxitje të urrejtjes, dy shtetas, të cilët mbanin me vete banderola dhe uniforma që nxisnin urrjetjen.

Gjatë ceremonisë mortore, janë evidentuar elemente që kanë shpërdorur ceremoninë për qëllime propagandistike ekstremiste.

Në përfundim të ceremonisë nga ana e Policisë janë shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër 12 shtetas. Ndaj personave të shoqeruar po kryhen veprimet e nevojshme proceduriale nga Prokuroria.

Theksojmë faktin mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke ka pasur një bashkëpunim mjaft të mirë për parandalimin e hyrjes së personave me prirje ekstremiste.

Policia Greke kishte marrë masa shtesë në Kakavijë dhe është treguar bashkëpunuese me Policinë Kufitare të Kakavijes. /tvklan