Nuk do të kisha dashur kurrë ta shkruaja këtë koment, por çdo gjë e ka një kufi. E kam fjalën për hapësirën e qarkullimit mediatik të Shqipërisë dhe Kosovës dhe respektimin e etikës në një familje të ndarë në mes.

U bë disa vjet që nga mediet e Prishtinës, por edhe gazetarë nga ky shtet shqiptar, komentues, analistë, njerëz të njohur e të panjohur japin mend, analizojnë, komentojnë punët e Tiranës dhe të Shqipërisë, në disa raste, me një mendjelhetësi të neveritshme dhe, në disa raste, me një mllef përçarës që u ka hije vetëm shakllbanëve të provincës. Nuk ka ditë që në disa media që dalin në Prishtinë të mos shfaqen komente denigruese për punët e politikës në Tiranë dhe, sidomos, shkrime gjithë mllef fshtaresk ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në anën tjetër, shtypi i Tiranës me një indiferentizëm brilant dhe me një etikë europiane, në asnjë rast, nuk i ka futur hundët dhe nuk komenton punët e Prishtinës dhe, në asnjë rast, nuk ka fyer me komente apo editoriale as kryeministrin Haradinaj dhe askënd tjetër. Është për të ardhur keq që një klimë e tillë konfrontuese dhe partizane vihet re mes mediash që do të duhej të kishin një mision tjetër dhe që mund të ndërmerrnin së bashku aksione për investigime të thella për punët që nuk kanë shkuar mirë as në Shqipëri e as në Kosovë.

Ëshë e neveritshme disa herë kur lexon një medie në Prishtinë që lartëson Monikën dhe Ilir Metën dhe shpifjet e qytetarit dixhital të Berishës i bën lajme të para. Këtë maskarallëk asnjë medie e Tiranës nuk e bën dhe asnjë gazetar nga Tiranë nuk sillet si mercenar i pështirë i blerë në Prishtinë që të shajë nga Tirana politikanët e Kosovës, ashtu siç bëjnë disa të tillë nga Prishtina që e kanë shitur shpirtin në qoftëlargun e Tiranës.

Tirana zyrtare, në gjithë këta vjet, pavarësisht poltikanëve që kanë qenë në krye të saj, kurrë nuk e ka harruar Kosovën dhe gjithmonë është marrë me fatin e saj. Edi Rama për të çuar më tej këtë përkushtim ka marrë dy të rinj të talentuar nga Kosoavë dhe i ka bërë ministra.

Ne të gjithë e dimë se për shumë e shumë arsye Tirana dhe Shqipëria kanë prodhuar më shumë dije dhe profeionistë, por nuk kemi dëgjuar deri tani që Prishtina të jetë mbështetur në këtë përvojë, me përjashtime të disa këshilltarëve ndër të cilët do të veçoja sidomos Adri Nurellarin.

Shqipëria e ka harruar invazionin që iu bë asaj nga vëllezërit nga Kosoava pas viteve ’90 pas rënies së diktaturës dhe abuzimin e shumë prej tyre me varfërinë e vëllezërve shqiptarë. Shqipëria i ka harruar mashtruesit spektakolarë si Hajdin Sejdia dhe në vitet më të zeza të saj, pas rënies së skemave piramidale, i priti vëllezërit e saj të një gjaku ashtu siç u ka hije shqiptarëve.

Në gjithë këta vjet nuk kam parë asnjë media që del në Tiranë që të fusë hundët apo të bëhet palë me njërin apo tjetrin krah politik dhe të vijnë e të kapardisen në studiot e Tiranës si karaducë e të japin mend e t’i tregojnë kryemnistrit të Shqipërisë Edi Rama se si bëhet politika.

Ky ekses i këtyre pseudogazetarëve që i dorëzohen blerësit më të parë këtu në Tiranë po krijon një perceptim negativ dhe të ndyrë për një pjesë të atyre që i thonë vetes komentatorë apo gazetarë nga Kosoava dhe që e kanë kthyer në sport llahingash fyerjen dhe denigrimin e kryeministrit të Shqipërisë me lajmet e qytetarit dixhital të Berishës.

Më vjen keq se në Prishtinë ndodhet një nga monumentet e mendimit publicistik shqiptar, studiuesi dhe shkrimtari Rexhep Qosja, por edhe hija e tij nuk ka mundur ta ndalojë vërshimin e këtij llumi prej gazetave të Prishtinës në Tiranë./Nga Ilir Yzeiri (Tema)