Zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali ka folur në studion e ERTV mbi aktualitetin në vend, përfshirë edhe situatën me universitetet në vend, ku ndërsa pjesa më e madhe e studentëve filloi mësimin, disa grupe të rinjsh bllokuan mësimin në auditore.

Spiropali e quajti këtë një zaptim të mjediseve universitare nga opozita në ato fakultete ku ajo ka qëndrat e saj të influencës. Në të njejtën kohë, ndërsa garantoi se Pakti për Universitetin do t’i japë zgjidhje problematikave universitare përtej 8 kërkesave të studentëve, Spiropali u bëri thirrje fakulteteve që të përfundojnë listat e studentëve për disbursimin e tarifave.

“Ajo që ka ndodhur besoj është e qartë për të gjithë. Protesta ndërgjegjësoi gjithë shoqërinë për nevojat e brezit më të ri, për lehtësimin e tarifave dhe rritjen e cilësisë së arsimit. Ai është një zaptim i mjediseve të disa pak fakulteteve dhe jo rastësisht në ato fakultete ku opozita ka qëndrat e saj të influencës, klanore, me punëism të pamerituar. Mësimi ka filluar në shumicën e fkaulteteve.Ka rradhë të tëra studentësh që duan të bëjnë mësim. Nuk ishte një bojkot i vullnetshëm i studentëve për të mos bërë mësim. Ajo që unë di është që ata apo të tjerë kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre mbi ligjin e arismit, por nuk kanë asnjë të drejtë të pengojnë studentët që të marrin dokumentacionin në universite”, tha Spiropali.

Spiropali u ndal edhe të kërkesa e një grupi pedagogësh për abrogimin e ligjit të arsimit të lartë.
Sipas saj, ligji i bërë në konsulencë të plotë me ekspertët më të mirë, merr parasysh nevojat e universitetit dhe garanton autonominë universitare, por qeveria është e hapur që të ulet dhe dialogojë me cilindo që mendon se ka vend për përmirësime.