Audi prodhon Audi-Airbus Pop-Up në “Drone Week” të Amsterdamit, ku në bashkëpunim me Italian-Design kanë prezantuar për herë të parë një prototip fluturues dhe me drejtim autonom.

Në provën publike të fluturimit, maxi-drone ka vendosur me precizion një kapsulë pasegjerësh mbi tokë dhe më pas është drejtuar në një destinacion të përcaktuar. Testi ka qenë befasues, sepse ideja për t’i shpëtuar trafikut është ëndrra e kujtdo! Gjithsesi, sa realitet ka në gjithë këtë projekt? Shumë, dhe jo vetëm për kalibrin e markave në lojë.

Vazhdon në fakt evolucioni i konceptit të shfaqur për herë të parë në 2017-n në Sallonin e Gjenevës. Pas 10 vitesh, parashikohet që ky lloj prototipi mund të aplikohet masivisht në terrenin e transportit urban multi-modal.

“Taksitë fluturuese janë duke ardhur”, tha Bernd Martens, President i Italdesign dhe Audit. Nga pikëpamja teknike, “Pop-Up” përbëhet nga një shasi autonome me rrota, bateri elektrike dhe përmban një kabinë pasagjerësh me dy vende të shkëputshme. Kur është koha për të fluturuar, një modul i fluturimit i projektuar nga Airbus, i afrohet tokës, rrok kabinën dhe e merr me vete.

Sipas Audit, shasia Pop-Up mund të udhëtojë 31 milje në tokë dhe moduli i fluturimit mund të udhëtojë 81 milje në ajër.

Por, jemi vetëm në fillim: zhvillimet mund të jenë të paparashikueshme./Tch