Skanimi i pasurisë së politikanëve, nën syrin e mprehtë të ndërkombëtarëve, do të nxjerrë në pah gjithë zullumet e tyre, duke “fundosur” bosët e Kuvendit

Kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama po planifikojnë të zhdukin nga radhët e politikës të gjithë “sheikët”, që nuk e dinë as vetë sa pasuri kanë. Të tillë ka shumë në radhët e politikanëve shqiptarë, duke nisur nga ministra, deputetë, kryebashkiakë e deri te drejtorët e nivelit më të ulët.

Nisma e Bashës për Vettingun në politikë, ku do të skanohet pasuria e të gjithë zyrtarëve të lartë të vendit, e mbështetur dhe nga kryeministri Rama, është një kërcënim serioz për njerëzit e pasur, të cilët rrezikojnë milionat e tyre, por mund të përfundojnë edhe në burg.

Skanimi i pasurisë së politikanëve, nën syrin e mprehtë të ndërkombëtarëve, do të nxjerrë në pah gjithë zullumet e tyre, ashtu siç po ndodh me Vettingun në gjyqësor, ku shumica e njerëzve të drejtësisë së kalbur janë shkarkuar, për shkak të pasurisë së tyre milionëshe të pajustifikuar.

Basha dhe Rama kanë pranuar që Vettingu i politikës të bëhet nga ndërkombëtarët, të cilët nuk do të falin asnjë “sheik”, që ka rrjepur popullin për t’u pasuruar për vete. Më të rrezikuarit janë deputetët, një pjesë e të cilëve gëzojnë pasuri në shifra të çmendura, nga të dyja kahet politike.

‘Perandori’ i socialistëve, që ulet në sallën e Kuvendit, është padyshim deputeti i Vlorës, Vullnet Sinaj, i cili rezulton me aksione nga 50 % deri në 100 % në 27 shoqëri tregtare, si dhe me disa llogari bankare në bankat e nivelit të dytë në vlerat 35 884 923 lekë, 57 696 euro, 73 799 euro, 52 455 243 lekë etj.

Një tjetër ‘sheik’ i PS është edhe deputeti Anastas Angjeli, i cili rezulton me më shumë burime të ardhurash, që nga paga e deputetit, mësimdhënia e deri te rroga si anëtar i Akademisë së Shkencave.

Me pasuri të konsiderueshme është edhe deputeti socialist, Alket Hyseni, i cili rezulton të jetë i angazhuar në disa detyra shtetërore të rëndësishme.

Pasuri në shifra të çmendura gëzojnë edhe dy deputetët e tjerë nën siglën e PS, Sadri Abazi, që shëtit me makina super luksoze, dhe Paulin Stërkaj, por nuk përjashtohen edhe emra të tjerë.

Edhe nga radhët e PD, aty ku Basha po ngre zërin për të bërë Vetting me çdo kusht, nuk mungojnë ‘sheikët’. I pari që thyen rekord për pasurinë në PD është deputeti Agron Shehaj, i ndjekur nga Astrit Veliu, të cilët gëzojnë një pasuri në shifra të frikshme, që arrin deri në 32 milionë euro. Ndër deputetët më të pasur të Kuvendit është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Ndërsa bosi i LSI është Agron Çela, i cili ka në pronësi të tij me dhjetëra metra sipërfaqe tokë, që arrijnë në mbi 900 mijë euro. Po ashtu ka apartamente dhe biznese me vlera dhjetëra milionë lekë./Pamfleti