Në epokën e marrëdhënieve moderne dhe takimeve online, është e vështirë të gjesh një histori dashurie e cila ju prek zemrën dhe ju ngroh shpirtin.

Por herë-herë, lexojmë për ndonjë çift që na jep shpresë se dashuria e vërtetë ekziston.

E tillë është edhe historia e Herbet DeLaigle, 94-vjeç, dhe Marilyn Frances DeLaige, 88 vjeç. Çifti vdiq me 12 orë diferencë nga njëri-tjetri, të premten e shkuar, pas 71 viteve martesë.

Historia e tyre e dashurisë nisi 72 vite më parë:

Historia e çiftit DeLaigles nisi afërsisht 72 vite më parë në një kafene.

“Frances punonte në një kafene të vogël që ndodhej në Waynesboro,” pati thënë Herbert DeLaigle në një intervistë në vitin 2018. “Unë e shikoja teksa ajo dilte e futej brenda dhe ia vura syrin. Pastaj, më në fund mora guximin t’i kërkoja të dilnim bashkë.”

Një vit më vonë ai i kish kërkuar të martoheshin.

Sipas nekrologjisë së tyre, Marilyn DeLaigle kaloi gjashtë vjet në Gjermani me bashkëshortin e saj i cili shërbeu në Ushtri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Herbert DeLaigle gjithashtu shërbeu në Kore dhe Vietnam dhe doli në pension nga Ushtria pas 22 viteve shërbim.

Çifti kishte 6 fëmijë, 16 nipër e mbesa, 52 stërnipër e stërmbesa dhe 3 stër-stër nipër e stër-stër mbesa.

Sindroma e zemrës së thyer.

Kur çiftet e martuara apo pjesëtarë të familjes vdesin menjëherë pas vdekjes së një të dashuri, vdekja e dytë shpesh quhet vdekje si pasojë e zemrës së thyer.

“Sindroma e zemrës së thyer – e cila në fakt është diçka e vërtetë – ndodh kur dikush dëgjon një lajm tronditës, lajm të kobshëm, dhe këto hormone stresi çlirohen në gjak, zemra bombardohet nga hormonet e stresit,” thotë Dr. Matthew Lorber, një psikiatër në Spitalin Lenox Hill në Nju Jork.

Tronditja e fortë emocionale mund të shkaktojë një dobësim të menjëhershëm të zemrës, gjë çka mund të sjellë infarkt në zemër./Pamfleti