Ish ministrja e Ramës, tani deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka zbuluar në emisionin Dita Jonë arsyen se pse në zgjedhjet bashkiake PS ka pasur shumë kandidatë meshkuj për bashkitë e qyteteve.

Nga 61 kandidatët që ofroi mazhoranca për zgjedhjet e 30 qershorit, 54 ishin meshkuj.

“Ka ndodhur kështu sepse ka ende shumë punë për të bërë për përfaqësimin gjinor. Ka dhe shumë punë për të bërë nga zonjat. Gjithsesi, kemi përfaqësimin më të mirë në pushtet vendor krahasuar me forcat e tjera. Duhet lu ftuar edhe mentaliteti i komuniteteve”, tha Nikolla.

Deputetja Nikolla ka zbardhur edhe analizën që ka bërë PS për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Pas analizës që i bëmë 30 Qershorit, në mbledhjen e Kryesisë u mor vendim që të krijohet një strukturë e re, ndarja në 3 zona. Mendoj që kjo gjë do t’i shërbejë punës organizative të PS-së dhe vetë komuniteteve për të adresuar më shpejt problematikat”, është shprehur Nikolla.