Biba me oriz në saç është një gatim që sundon me shijen e tij unike çdo tavoline amvise nikoqire në Myzeqe.

Ata që dinë të gatuajnë thonë që shija e vërtetë e saj mund të arrihet vetëm nëse gatuhet nga një person që e ka trashëguar recetën brez pas brezi.

Pasi, sipas tyre, edhe gabimi më i vogël gjatë gatimit mund të ndikojë në shijen e pjatës përfundimtare.

Kjo recetë është traditë për dy muajt e vitit, në qershor dhe në korrik.

Receta e saj lindi dekada më parë, atëherë kur Myzeqeja mbulohej nga kënetat dhe moçalet. Të vetmet shpendë që rriteshin në mënyrë të egër dhe pa shpenzime ishin bibat dhe rosat.

Nikoqiret myzeqare ia morën natyrës të gjitha dhe “shpikën” me të një nga gatimet më autentike dhe më të shijshme të Myzeqesë.

Sot vërtetë nuk ka moçale, por vendin e tyre e kanë zëvendësuar fushat, ku bibat rriten natyralisht pa koncentratë.

Në familjen e Klara Semanjakut në Sheqishtë të Fierit, kjo recetë gatuhet prej dekadash dhe është trashëguar brez pas brezi, raporton ABC News.

Receta e gatimit është patentë autentike dhe origjinale e kuzhinës myzeqare. Askush tjetër nuk arrin ta imitojë.

Që kur është gatuar për herë të parë, myzeqarët nuk hoqën dorë kurrë prej saj. Kurse vizitorët nga i gjithë vendi pushtojnë restorantet tradicionale në Fier.