Bie kështjella e fundit e demokratëve në qeverisjen vendore. Lulzim Basha zyrtarisht dorëzon 61 bashkitë në duart e Edi Ramës, ndërsa vijon të tallet me demokratët duke thënë se ka fituar me 85 %. Një ditë pasi Xhelal Mziu, ndryshe nga sa kishte deklaruar, ia mbathi me bisht ndër shalë, mblodhi plaçkat dhe dorëzoi detyrën, të njëjtën gjë ka bërë edhe Voltana Ademi në Shkodër. Orët e fundit Ademi ka nisur të boshatisë zyrën, në kuadër të përgatitjeve të dorëzimit të detyrës tek Valdrin Pjetri. Brenda ditës Voltana ka sajuar dy manovra për të justifikuar zbythen e saj, tradhtinë ndaj Bashës dhe Berishës si dhe për t’u hedhur hi syve demokratëve të Shkodrës, të cilëve u ka premtuar se nuk do të dalë nga zyra e kryebashkiakes. Nëse Mziu ia mbathi nga zyra dhe më vonë vuri kujën se ja pushtuan zyrën socialistët, Voltana ka zgjedhur një rrugë tjetër.

Fillimisht Voltana njoftoi se do të zgjedhë një rrugë ligjore, për të mos dorëzuar detyrën, një manovër kjo në fakt për ta dorëzuar bashkinë. Ajo tha se do të vërë në lëvizje Shoqatën e Bashkive për të vërtetuar paligjshmërinë e zgjedhjeve. “Është pikërisht kjo çfarë do të jetë hapi tjetër që Shoqata e Bashkive do të bëjë, duke vërtetuar se të gjithë këshillat bashkiake, sikurse edhe kryetarët e bashkive, janë të zgjedhur në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën!. “30 qershori” nga dita në ditë po delegjitmohet bazuar mbi argumente të pakundërshtueshëm, bazuar në Kushtetutën e vendit dhe kuadrin ligjor në fuqi. Të gjitha këto shkelje flagrante, po bëhen nën trysninë e pashoqe që qeveria uzurpatore po i bën përmes “Veting”-ut edhe gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, gjoja “reformë në drejtësi” që i qëndron mbi kokë si “Shpata e Ramës”. Në fakt kjo është një tallje tjetër për demokratët pasi Shoqata e Bashkive nuk është gjykatë që të rrëzojë zgjedhjet.

Duke qenë se manovra e parë ishte qesharake, pasdite Voltana ka ndërmarrë një tjetër lëvizje. Këtë radhë u ka shkruar një letër amerikanëve, të cilëve u kërkon ndihmë për të rrëzuar Valdrin Pjetrin, i dyshuar si i inkriminuar. Siç dihet, amerikanët kanë futur në listën e zezë familjen Berisha, ndërsa kërcënuan edhe Bashën nëse nuk hiqte dorë nga dhuna. Letrën Voltana e ka shkruar në emër të disa demokratëve. Në letër thuhet: “Tashmë prej disa ditësh, krerët e opozitës dhe mediat, kanë akuzuar z. Valdrin Pjetri për mashtrim në deklarimet e tij lidhur formularin e dekriminalizimit të depozituar në KQZ si kandidat! Sipas këtyre akuzave, zoti Pjetri ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga organet e drejtësisë italiane! Ai nuk e ka përgënjeshtruar këtë akuze në asnjë moment! Kryeministri po hesht siç ka bërë edhe më parë me të tjerë kryebashkiakë të tij, subjekte të ligjit të dekriminalizimit, duke i marrë në mbrojte politikisht! Ai ka hequr dorë prej tyre pas disa vitesh, kur provat janë, konfirmuar totalisht dhe presioni publik ka qenë shumë i fortë!

Të nderuar ambasadorë, Ne kërkojmë prej jush të ushtroni presion si mjeti i vetëm që funksionon mbi qeverinë e Edi Ramës, që një njeri i akuzuar për shkelje të rëndë të ligjit, i akuzuar për precedent kriminal, të mos konstituohet si kryetar i Bashkisë së Shkodrës me datë 15 gusht, kjo, derisa shteti italian të përgjigjet zyrtarisht për akuzat ndaj z. Valdrin Pjetri!”./Pamfleti/