Shtatë mijë tonë kafe dhe tre mijë ton cigare importohen dhe konsumohen brenda një viti nga qytetarët e Kosovës. E nëse llogaritet vetëm taksa e paguar për cigare atëherë janë rreth 170 deri në 180 milionë euro taksë që mblidhet nga cigaret.

Këto të dhëna i dha për Ekonomia Online, drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha. Ai po thotë se deri më tani janë importuar 1 mijë e 450 tonë cigare dhe 3 mijë e 500 tonë kafe.

“Cigaret, brenda vitit në Kosovë importohen rreth 3 mijë tonë, konsumi në Kosovë është në këtë sasi 3 mijë ton. Nëse marrim vetëm taksa diku janë 170-180 milionë euro taksë që mblidhen nga kjo kategori”.

“Deri tash kemi diku 1 mijë e 450 tonë import të duhanit për këtë periudhë të vitit 2019. Te kafja, konsumi vjetor i kafes në Kosovë është diku është 7 mijë tonë. Deri tash kemi rreth 3 mijë e 500 tonë që janë importuar në Kosovë”, tha Berisha.

Sipas tij, cigaret hyjnë në grupin që sjellin më së shumti të hyra në buxhetin e shtetit së bashku me derivatet dhe automjetet.